Vrasja e katër forcave të policisë dhe bashkëpunëtorit te kriminelit Dritan Dajti një ditë më parë, është pasqyruar edhe në shtypin botëror.

Agjencia gjermane e lajmeve, Deutsche Welle, shkruan se e gjithë Shqipëria sot mban zi, në nderim të oficerëve që humbën jetën gjatë operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, i cili akuzohet për vrasjen e një biznesmeni 10 vjet më parë, grabitje të dhunshme, dhe një arratisje nga procesi gjyqësor në vitin 2003.

Po kështu edhe Zëri i Amerikës, shkruan për ngjarjen e bujshme, e cila u shoqërua menjëherë me reagimin e qeverisë shqiptare.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri i vendit, Sali Berisha shpalli ditë zie kombëtare. Ky është bilanci më tragjik në policinë shqiptare, shkruan Zëri i Amerikës.

Për ngjarjen e rëndë kanë shkruar edhe agjencitë e lajmeve Reuters, BBC, Associated Press etj.

Duke cituar dëshmitarë në vendngjarje, Reuters e cilëson ngjarjen një luftë të vërtetë. Në ngjarjen e djeshme, të ndodhur pas mesdite, humbën jetën efektivet e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj.

Falë një udhëzimi të posaçëm të qeverisë, trupat e 4 policëve të vrarë u nderuan sot nga personalitete të  larta të vendit, por edhe nga qytetarë të thjeshtë nëpërmjet homazheve në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre u krye në varrezat e Dëshmorëve të Kombit./tvklan.al