Marrëveshja e Detit është duke u mbajtur pezull nga Presidenti i Republikës. Ashtu sikurse Televizioni Klan lajmëroi javën e shkuar edhe mediat greke shkruajnë se është kreu i shtetit, Ilir Meta, i cili po nguron të japë autorizimin për firmosjen e marrëveshjes së rë detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Portali grek “News 24” shkruan se po “vërehet një implikim në përparimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, pasi Presidenti Ilir Meta nuk autorizon qeverinë e Edi Ramës për të vazhduar (në nënshkrimin e marrëveshjes), ashtu siç e ka për detyrë institucionale që ta bëjë”.

Ne Rodos 2 ministrat, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, vijon shkrimin e tij “NEWS 24.gr”  vazhdojnë intensivisht edhe sot përpjekjet për ta mbyllur marrëveshjen, në mënyrë që Kryeministrat Alexis Tsipras dhe Edi Rama të kalojnë në fazën përfundimtare, ndërkohë që shprehet optimizëm i përmbajtur se Ilir Meta do të bindet dhe do të ndryshojë sjellje, sigurisht edhe nën presionin e faktorit ndërkombëtar.

E kontaktuar nga Tv Klan zyra e shtypit e Presidentit thotë se kreu i shtetit ka zgjedhur të mos komunikojë me mediat për këtë çështje. Ndërsa publikisht javën e shkuar pas një takimi me kryeministrin Rama e nënvizoi shqetësimin personal për mungesën e funksionimit te Gjykatës Kushtetuese, e cila do te ishte garant i një marrëveshje të re mes dy shteteve për hapësira detare, pas rrëzimit të asaj të nënshkruar nga qeveritë e Berishës dhe Karamanlis në 2009.

Pas takimit te pasdites së enjte në Rodos mes dy ministrave Bushati e Kotzias këtë të premte në Athinë prej paradites 2 grupet negociatore vijojnë diskutimet për arritjen e një dokumenti final.  Dokument do të duhet të nënshkruhet nga 2 kryeministrat Rama e Cipras, por kryeministri shqiptar do të mund ta hedhë firmën vetëm nëse presidenti Meta do të japë autorizimin siç e parashikon Kushtetuta.

Tv  Klan