Dikur “Koreja e Veriut e Evropës” tani po tërheq turistë dhe investitorë të huaj, në krye të të cilëve është familja Trump. Kështu thuhet në një shkrim i gjatë në gazetën zvicerane Velt-vohe (Weltwoche) me autor ish-ambasadorin e Kosovës në Gjermani Beqë Cufaj.
Shkrimi u bënë fillimisht jehonë numrave në rritje të turistëve të huaj me 11.7 milionë në 2024-ën ose 15% më shumë se një vit më parë.
“Turizmi, përkrah sektorit të ndërtimit, është faktori më i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe kontribuon me rreth 8% në ekonominë e vendit”, thuhet në shkrim.
Autori i shkrimit thotë se kryeministri Rama e ka identifikuar turizmin si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet projektit të zhvillimit turistik të ishullit të Sazanit, një investim prej 1.4 miliardë eurosh që drejtohet nga një grup investitorësh të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump. Shkrimi citon edhe polemikat në mediat brenda dhe jashtë vendit pas vendimit të qeverisë shqiptare për t’i dhënë grupit të Kushnerit statusin e “investitorit strategjik”.
Por autori i shkrimit thotë se projekti në ishullin Sazan, i cili për dekada ka qenë një grumbull rrënojash ushtarake dhe një zonë e mbrojtur por e pashfrytëzuar turistikisht, është një përpjekje ambicioze për të lidhur pavarësinë gjeopolitike të Shqipërisë me mundësitë e zhvillimit ekonomik përmes turizmit.
“Vendet e punës që do të krijohen në ndërtim, hoteleri, tregti dhe sektorin e shërbimeve, si dhe përmirësimi i infrastrukturës, do të sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonominë shqiptare”, thuhet në shkrim.
Autori i quan hipokrizi shkrimet e mediave ndërkombëtare që sipas tij nuk ruajnë të njëjtin standard kur raportojnë për investime në vende të mëdha në krahasim me përpjekjet që bëjnë të vegjlit kur marrin investime të huaja.
Tv Klan