Thirrjes për të protestuar kundër qeverisë në 27 Janar, aleati historik i demokratëve, Fatmir Mediu i bashkëngjiti nga asambleja e Partisë Republikane edhe një mesazh për Lulzim Bashën. Në krah të njërit prej themeluesve të Partisë Demokratike, ish-ministrit, e ish- deputetit Besnik Mustafaj, Mediu shtroi nevojën e rikthimit të të larguarve nga Partia Demokratike.
“Përveçse të protestosh duhet edhe të ndërtosh nevojën e padiskutueshme të rivlerësimit dhe kthimit të kontributeve, themeluesve të PD e PR, të kontributeve përfaqësuese të së djathtës që kanë qenë në nivel lokal apo qendror. Historia na ka treguar se kur kemi qenë të bashkuar kemi ndërtuar suksesin tonë, jo politik, por të Shqipërisë.”
Ideja e bashkimit të së djathtës u mbëhstet edhe nga Mustafaj, i cili pavarësisht ndasive me kreun e demokratëve mbështet idenë e protestës.
Mediu tha se në 27 Janar opozita dhe shqiptarët do të protestojnë për zgjedhje të lira e të ndershme, një drejtësi të pakapur politikisht dhe mirëqenie.
Tv Klan