Medon Berisha do të jetë pjesë e listës së trajnerit Silvinjo, për dy ndeshjet që Shqipëria do të luajë në muajin shtator, ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës, në Ligën e Kombeve.
Kjo u konfirmua nga trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, i cili deklaroi se mesfushori 20-vjeçar do të jetë i grumbulluar nga kombëtarja e parë.
“Unë them gjithmonë që këta janë lojtarë të rinj, të vegjël, çdo minutë e tyre e luajtur është eksperiencë për të shkuar të ekipi A. Jo më kot Medon Berisha, një lojtar me shumë potencial tashmë është te ekipi A, por shumë shpejt edhe disa prej këtyre që janë me ne sot, do të jenë pjesë e Kombëtares A në sezonet e ardhshme.”, deklaroi Bushi.
Berisha nuk ishte i grumbulluar në listën e Shqipërisë U-21, për ndeshjen e shtatorit, ndaj Zvicrës.
Mesfushori 20-vjeçar, u mor nga trajneri Silvinjo edhe në Europian, ndërsa u aktivizua për pak minuta ndaj Spanjës, në ndeshjen e fundit të grupit B.
Medon Berisha është pjesë e skuadrës së Lecce-s në Serinë A italiane, aty ku në tre ndeshjet e para zyrtare, është aktivizuar nga stoli. /tvklan.al