Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar publikisht ndaj vendimit të Gjykatës së Romës për vendet e sigurta që bllokuan zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe urdhëroi kthimin për herë të dytë të emigrantëve nga kampi i Gjadrit.  

“I konsideroj të paarsyeshme disa vendime të një pjese të gjyqësorit, që në fakt duke u përpjekur të kalojë parimin se nuk ka shtete të sigurta të origjinës për emigrantët, rrezikon të përjashtojë çdo mundësi për të kontrolluar kufijtë. Për më tepër, duke i bërë të pamundur riatdhesimet edhe për ata që kryejnë krime në Itali, si 21-vjeçari egjiptian që goditi me thikë drejtuesin e trenit në Xhenova në ditët e fundit. Sipas këtyre interpretimeve ai nuk mund të riatdhesohej sepse Egjipti nuk konsiderohet vend i sigurt”, tha Meloni.

Gjatë një takimi elektoral në Umbria të Italisë, Meloni tha se është e vendosur për të çuar përpara luftën kundër emigracionit.

“Nuk më intereson asnjë konflikt me drejtësinë, përkundrazi, nuk dua asnjë konflikt me askënd. Unë angazhimet i mbaj sepse më kanë votuar italianët dhe them se kam ndërmend të eci përpara me emigracionin dhe të bëj gjithçka që është e mundur për ta ndaluar emigracionin e parregullt, i pëlqen ose jo të majtës”, tha Meloni.

Teksa sulmoi opozitën e majtë se ka ankimuar marrëveshjen me Shqipërinë në Bruksel, duke e cilësuar si një parti anti-italiane.

“Kemi Partinë Demokratike, e cila pak javë më parë i kërkoi Komisionit të BE-së të hapte një procedurë shkeljeje ndaj Italisë për protokollin me Shqipërinë. A e dini se çfarë ndodh nëse hapet një procedurë kundërvajtëse? Duhet të paguash, duhet të paguash, janë para”, tha ajo.

Gjykata e Romës disa ditë më parë urdhëroi kthimin e 7 emigrantëve nga Bangladeshi dhe Egjipti të cilët ishin strehuar në Gjadër të Shqipërisë. Gjithashtu kjo gjykatë iu drejtua Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për përcaktimin se cilat janë vendet e sigurta.

Tv Klan