Pete Hegseth, i zgjedhuri i Donald Trump për Sekretarin e Mbrojtjes në presidencën e tij të ardhshme, kapërceu pengesën e tij të parë në rrugën e konfirmimit ne një seancë të gjatë e të tensionuar, përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA.

Në fjalën e tij në fillim të seancës, Hegeseth nuk e trajtoi çështjen e akuzave ndaj tij për abuzim seksual, përdorim të tepruar të alkoolit. Ai u përqendrua tek përvoja e tij në ushtri si ish-veteran i luftës.

“Presidenti Trump më zgjodhi mua për këtë pozicion dhe detyra kryesore që më dha ishte të ktheja kulturën e luftëtarëve në Departamentin e Mbrojtjes. Ai, si unë, dëshiron një Pentagon të përqendruar te meritokracia, përgjegjësia dhe gatishmëria. Ndryshe nga administrata aktuale, politika nuk duhet të luajë asnjë rol në çështjet ushtarake”, tha Hegseth.

Në atë që u bë një seancë dëgjimore e tensionuar partiake, demokratët vazhdimisht e sulmuan Hegseth për deklaratat e tij të kaluara duke sugjeruar se gratë nuk ishin të përshtatshme për të shërbyer në role luftarake në ushtri.

“Do të isha i nderuar që të kisha mundësinë të shërbeja krah jush, krah për krah, burra dhe gra me një qëllim të përbashkët. Dallimet tona nuk janë ato që na përcaktojnë. Qëllimi është ai që na përcakton dhe ju do të trajtoheni me dinjitet, nder dhe respekt, ashtu si çdo burrë dhe grua me uniformë”, tha Hegseth.

I pyetur drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për sulm seksual, Hegseth i hodhi poshtë ato duke i konsideruar si një “fushatë shpifjesh”. Ajo që senatorët refuzuan të pyesnin Hegseth ishin konfliktet aktuale, dhe kundërshtarët e tjerë të mundshëm ushtarakë dhe rivalët strategjikë.

Seanca dëgjimore shënoi fillimin e një maratonë njëjavore ndërsa senatorët do të shqyrtojnë me kujdes përzgjedhjet e Trump për më shumë se 12 poste të larta të administratës së tij.

Ai ka punuar si gazetar i rrjetit televizv “Fox News”, që nga viti 2014. Hegseth ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë nga viti 2002 deri në 2021, duke u vendosur në Irak në vitin 2005 dhe Afganistan në 2011. Por atij i mungon përvoja e drejtimit të një institucioni të madh, siç është Pentagoni dhe ajo në fushën e sigurisë kombëtare. Trump i ka dalë atij në mbrojtje, duke thënë se ka mbështetjen e plotë të tij.

Klan News