“Besimtarët e krishterë në të gjithë botën festojnë Krishtlindjen. Në këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë kudo që ndodhen Imzot Arjan Dodaj ka përcjellë mesazhet e urimit për sa më shumë dashuri dhe mirësi për të gjitha familjet shqiptare”, raporton gazetari i Klan News, Maksi Rama.

Ndër të tjera kreu i Dioqezës Tiranë-Durrës u shpreh se kjo Krishtlindje na fton të ecim si shtegtarë të shpresës.

Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës: Le të shkojmë në Betlehem dhe të shohim çfarë zoti kumtoj për ne. Kjo është ftesa që na vjen nga zoti në këtë Krishtlindje të vihemi në ecje, në ecje si shtegtarë të shpresës në dyert e jubileut që shënon 2025 vite nga lindja e Krishtit. Me Krishtin historia e zotit me popullin e vet merr tërësisht një drejtim të ri. Si thotë edhe Shën Pali ‘u shfaq mirësia e shpëtimtarit tonë dhe dashuria e tij ndaj njerëzve’.

Imzot Arjan Dodaj nënvizoi se ka ardhur koha të reflektojmë dhe të promovojmë vlerat për femijët dhe atdheun.

Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës: Të lejojmë të edukohemi dhe të edukojmë fëmijët tanë se Toka është një dhuratë e shenjtë për të gjithë e cila ka nevojë të pushojë pas 30 vjet zabtimi dhe konsumimi. Të promovojmë ruajtjen e natyrës mahnitëse. Të dashur vëllezër dhe motra po hapet një vit jubilar, një vit shprese. 2025 vite nga ardhja e Krishtit. Zoti fëmijë është drita e vërtetë e zemrës së njerëzimit. Ndriçon çdo njeri. Të reflekojmë në këtë dritë hyjnore. Jezusi me zemrën e ytij njerëzore dhe hyjnore e bëftë zemrën e secilit prej nesh më të hapur, më të paqtë, zemër siç themi ne të bardhë. Gëzuar e për shumë mot të gjithë shqiptarëve Krishtlindjen.

Çdo 24 Dhjetor besimtaret e krishterë në të gjithë botën kremtojnë lindjen e Jezusit me anë të meshës që mbahen në çdo katedrale në mesnate.

Ndërsa me 25 Dhjetor ndajnë urime me të afërmit dhe miqtë e tyre dhe mblidhen e festojnë me familjet këtë festë të shenjtë në kalendarin e tyre.

Klan News