Në programin “Historia ime” në TV Klan ishte e ftuar një mësuese, e cila prej 40 vitesh ushtron këtë profesion fisnik.
Liljana Luani prej 15 vitesh e ushtron profesionin edhe në kohën e lirë, duke kontribuar për një grup fëmijësh, të cilët qëndrojnë të ngujuar për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.
Duke qenë çdo ditë ajo është pjesë e përditshmërisë dhe realitetit të tyre. Liljana e kupton mjaft mirë vështirësitë që këto familje dhe fëmijët e tyre përballojnë për shkak të gjakmarrjes.
Sipas saj është një problematikë mjaft serioze dhe zbatimi i ligjit nga strukturat e shtetit ligjor do çonte në eliminimin e këtij fenomeni.
Mirela Milori: Kaq e vështirë është, se ti je njeriu që mund të na flasësh më mirë ne për këtë gjë, se hyn në shtëpitë e tyre çdo ditë. Kaq e vështirë është të gjendet gjuha dhe të falet gjaku, është viti 2020, akoma vazhdon?
Liljana Luani: Shiko problematika është serioze, është vërtet serioze, por do thosha unë në vitin 2016-2017, me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe mbështetjen financiare të OSHEE-së, me një grup pune, 5 mësues dhe 1 psikolog, unë kam bërë studimin në 6 qarqe të vendit, ku unë vetë si Liljana mendoja se është i përhapur ky fenomen, edhe për arsye edhe të lëvizjes demografike të popullsisë, pas viteve ’90 , nga Qarku i Tropojës, Qarku i Dibrës, Qarku i Shkodrës, Qarku i Lezhës, Qarku i Durrësit dhe Qarku i Tiranës. Problematika është serioze, unë e kam bërë këtë studim derë më derë, dhe shtëpi për shtëpi, ku ka prekur fenomeni i gjakmarrjes, duke bërë studimin e nivelit arsimor dhe psikosocial të fëmijëve, familjet e të cilëve janë në konflikte gjakmarrjeje, gjendjen ekonomike-sociale të familjeve dhe kemi nxjerrë një statistikë të saktë, krejtësisht të saktë. Sa familje ka në Shqipëri, sa familje janë me problematikë serioze, sa familje janë të ikura dhe vendet ku kanë ikur nëpër botë. Por unë kam hasur edhe familje që kanë ikur për arsye gjakmarrjeje edhe brenda Shqipërisë, në jug të Shqipërisë dhe deri sa ta realizoj edhe studimin në jug të Shqipërisë, të këtyre familjeve nuk më duket se e kam kompletuar krejtësisht studimin e problematikës.
Mirela Milori: Kaq e vështirë është të falet gjaku, në vitin 2020 vazhdon?
Liljana Luani: Dhe unë desha ta kthej përgjigjen në këtë formë, që të falësh gjak është shumë më shumë, edhe me kanun të para 600 viteve, është shumë më shumë burrni se me vra, është jashtëzakonisht shumë burrni, është qytetari, ku di unë si ta shpjegoj. Por që kjo nuk është një çështje se një familje fali gjak dhe një tjetër bie në gjak, rregullatori i kësaj problematike kaq serioze është shteti ligjor, zbatimi i ligjit nga strukturat e shtetit ligjor do çonte në eliminimin e këtij fenomeni, e veçanërisht prokuroritë dhe gjykatat, ato dhe vetëm ato, pasi të spastrohen nga sistemi i drejtësisë, ata prokurorë dhe gjykatës të pandërgjegjshëm, që mendoj unë, ky është një opinion dhe mendim i imi, që kjo problematikë ka ardhur deri këtu edhe për mosfunksionimin si duhet të prokurorive dhe gjykatave, pasi nuk është dënuar ai që bën këtë krim, maksimalisht aq sa e lejojnë ligjet shqiptare dhe ai që e mban familjen të mbyllur, se dhe ai bën vepër penale, le të dënohen këto dhe familjet të jetojnë të lira./tvklan.al