Gjatë një tubimi në Berat, kreu i LSI-së, Ilir Meta u ka bërë thirrje banorëve të këtij rrethi që të votojnë partinë që ai drejton, duke thënë se ajo është e vetmja që ka një program të qartë ekonomik dhe social të standardeve evropiane.

Në fjalën e tij, Meta theksoi se më 28 qershor, Berati do ti thotë jo alternativës së djathtë të cilën ai e cilësoi  një alternativë të mashtrimit e të varfërisë dhe do të zgjedhin rrugën drejt integrimit evropian.

Ilir Meta: “Më 28 qershor ne do i themi jo njëherë e përgjithmonë alternativës së mashtrimit, do i themi jo njëherë e përgjithmonë alternativës së përçarjes dhe të varfërisë. Në 28 qershor Berati voton LSI-në dhe Ilir Metën, si alternativa më e sigurt për t’u ballafaquar dhe larguar Sali Berishën më 28 qershor. Por edhe si e vetmja alternativë sot në të majtë që ka një projekt të qartë integrues për të gjithë socialistët dhe progresistët.”

Kreu i LSI-së tha se 28 qershori do të nxjerrë LSI-në forcë të parë politike në Berat. /tvklan.al