Kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një takimi elektoral në Patos, deklaroi se gjendja e mjerueshme e shëndetësisë shqiptare dhe papunësia janë akuzat më të rëndësishme që dëshmojnë papërgjegjshmërinë e qeverisë në pushtet. Sipas zotit Meta, shpallja prej kryeministrit Berisha e shëndetësisë si prioritet për qeverisjen e ardhshme, është thjesht hipokrizi elektorale.    

Ilir Meta: “Një turp i madh për një kryeministër me profesion mjek dhe gjendja në spitale e Shqipërisë, gjendja e pensionistëve të Shqipërisë që nuk përballojnë dot me pensione e tyre, as ilaçet. Është akuza më e madhe ndaj një mjeku që pati mundësinë për të drejtuar Shqipërinë për herë të dytë, të një mjeku që vetëm pas 4 viteve, vetëm për hipokrizi elektorale e shpall shëndetësinë si një prioritet, sepse gjatë këtyre 4 viteve kishte hall se si të pasurohej me Gërdecin e tij që vrau 26 shqiptarë.”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u premtoi banorëve të Patosit, se partia që ai drejton është alternativa e tyre e punës, një alternativë e cila do të nxjerrë nga stanjacioni industrinë tonë të prodhimit të naftës. Duke folur për programin e LSI-së, Meta premtoi se vetëm për industrinë e naftës do të shtohen 6 mijë vende të reja pune si dhe do të miratohet statusi i naftëtarit, që do t’u japë naftëtarëve shpërblimin e merituar për sakrificat e tyre të mëdha./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani