Partia e Lirisë proteston këtë të Premte para ambienteve të SPAK.

Në banerin kryesor që mbajnë në duar zv.Presidentja e PL-së Erisa Xhixho, Sekretari i kësaj partie Tedi Blushi e përfaqësues të tjerë shkruhet: “Jo drejtësi me regji!”.  Ka edhe parulla të tjera kundër kreut të SPAK Altin Dumani.

Një numër i konsiderueshëm forcash policie kanë krijuar kordon para Prokurorisë së Posaçme. Kjo si masë mbrojtëse në rast incidenti nga ana e protestuesve.

Kjo protestë vjen si reagim për arrestimin e kreut të kësaj partie politike e njëkohësisht ish-Presidentit të vendit Ilir Meta. Ai u vu në pranga me urdhër të SPAK më 21 Tetor 2024 i akuzuar për 3 vepra penale, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”.

Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, lexoi një letër të shkruar nga ish-Presidenti Meta.

“Ne jemi sot këtu sepse SPAK është shkatërruesi përfundimtar i Reformës në Drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershëm dhe patriotë për barazi para ligjit para këtij institucioni që sot prodhon vetëm padrejtësi, antiligj dhe arbitraritet dhe përndjekje të opozitës. SPAK është bunkeri i fundit i narkoqeverisë që po mbron dhe po i jep imunitet politik korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe rilindjes për të mos u dënuar dhe mos u ndëshkuar”, tha Blushi./tvklan.al