Kreu i LSI, Ilir Meta në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka deklaruar se zgjedhjet e 3 Korrikut kanë qenë të manipuluara. Sipas tij komisionerët e dy partive të mëdha në disa zona kanë ndarë votat në tavolinë dhe lidhur me këtë deklaratë Meta tha se disponon fakte.
“Procesi i zgjedhjeve të 3 Korrikut ka sjellë një parlament të përçudnuar që nuk e beson asnjë qytetar. Ne apeluam që kjo të mos ndodhte, por jam i bindur që mangësitë e mëdha të këtij procesi kanë të bëjnë me manipulimin e votave. Ne kemi fakte që i kemi paraqitur në KQZ dhe do ti paraqesim edhe në gjykatë. Kemi kërkuar rinumërim të plotë, por edhe për zona të caktuara. Komisionerët e të dy palëve janë marrë vesh për t’i ndarë votat në tavolinë, votat e LSI kanë kaluar për interes të forcave të tjera. Fakti më i qartë se ky është një konsensus i bërë nga të dyja partitë është votimi që bën KQZ, 7 me 0. Ky është komision partiak, ndryshe do të dilnin fakte dhe do të përbënte skandal”, tha Meta./tvklan.al