Rama: Takohet me viktimat e OFL, po ngatërron dynjanë
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor e shtuan dozën e akuzave mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit.
Ndërsa deputetët ishin duke votuar pro amendimeve në Kodin Elektoral, Meta shfrytëzoi një konferencë me kreun e Presidencës së Bosnjes, Sherif Xhaferovic, për të paralajmëruar se kush voton pro ndryshimeve, të cilat sipas tij shkelin 5 Qershorin, voton kundër integrimit dhe paralajmëroi se do të bëjë publik emrat e gjithsecilit që do të marrë këtë përgjegjësi.
“Ai që ngre dorën për të ndryshuar marrëveshjen e 5 Qershorit, përveç listave të hapura, ngre dorë kundër integrimi. Unë dëshiroj të mos e bëjnë. Kushdo që do të ngrejë dorën duhet të dijë që përgjegjësinë do ta ketë individuale jo kolektive”, tha Meta.
Akuzave të Presidentit iu përgjigj pa vonesë Kryeministri Rama, nga parlamenti, i cili hodhi edhe akuza të rënda se kreu i shtetit është takuar me viktima të Operacionit Forca e Ligjit.
“Presidenti i Republikës së Shqipërisë i cili si askush tjetër në atë pozicion nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet të paktën kur në krah një homolog të një vendi tjetër. Ilir Meta që flet me një gjuhë që mbase i shkon me viktimave të OFL-së, që takohen nëpër skuta katundesh, por nuk i shkon me PS, me deputetët e PS-së”, tha Rama.
Presidenti reagoi me një postim, duke e paralajmëruar për fatin që do të ketë nëse prek 5 Qershorin.
“Mister 1 Prilli, ti gënjen edhe kur s’e hap gojën. Mos guxo të vesh dorë mbi Marrëveshjen e 5 Qershorit! Shqipëria kurrë s’ka njohur trafikant më të papërgjegjshëm se sa ti, peng i bandave dhe armiqve të Shqipërisë. Po e preke 5 qershorin, Ilir Metën do e kesh në çdo shesh të Shqipërisë dhe ti do ëndërrosh fatin e shokut tënd që ngeli dhe pa parti. Nëse ndonjë mik i huaj të është ankuar për mua, kërkoji leje se e publikoj unë se çfarë i kam thënë, që ta dëgjojë mbarë bota se për ç’miq bëhet fjala”.
Kryeministri iu përgjigj sërish nga salla e parlamentit dhe jashtë saj.
“Unë e di ça do Ilir Meta që të grumbulloni njerëz rrugës dhe t’u thonë bleji kapi, që pastaj të vijë kush të vijë këtu, për të bërë të njëjtën gjë, për t’u turrur, për të kapur, për të çuar tek shtëpia”, tha Rama.
Meta e Rama janë përfshirë prej ditësh në replika, jo vetëm për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por edhe për çështje të ndryshme, një përplasje kjo që pritet të intensifikohet me afrimin e 25 Qershorit.
Tv Klan