Mijëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit të Gjeorgjisë, pasi presidentja e vendit dhe partitë opozitare bënë thirrje për protesta pas rezultatit të zgjedhjeve të cilën i cilësuan të manipuluara.
Protestuesit mbanin disa pankarta kundër Rusisë. Qeveria dhe komisioni zgjedhor kanë thënë se votimi ka qenë i lirë dhe i drejtë, ndërsa vëzhguesit e zgjedhjeve kanë thënë se ka pasur shkelje të konsiderueshme.
Slogani “Të vjedhura” ishte projektuar në pjesën e përparme të ndërtesës së parlamentit në Tbilisi, por protestat ndryshe nga ato që u mbajtën në fillim të vitit ishin paqësore. Para protestuesëve presidentja e vendit Salome Zourabichvili u shpreh se vota e popullit u vodh.
“Vota juaj u vodh dhe ata u përpoqën të vjedhin edhe të ardhmen tuaj. Së bashku, në mënyrë paqësore, ne do të mbrojmë atë që është e jona: të drejtën tuaj kushtetuese për të respektuar votën tuaj,”i tha Zourabichvili turmës, që mbanin flamujt e Gjeorgjisë dhe Bashkimit Evropian.
Ëndrra Gjeorgjiane, e cila erdhi në pushtet në vitin 2012, fitoi gati 54% të votave. Katër partitë kryesore të opozitës që fituan vende në parlament thanë se nuk i njohin rezultatet. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka bërë të ditur se nëse qeveria nuk i dëgjon thirrjet për të “tërhequr veprimet e saj antidemokratike dhe për t’u kthyer në rrugën e saj euro-atlantike SHBA do të ndërmarrë veprime të mëtejeshme nëse drejtimi i qeverisë gjeorgjiane nuk ndryshon.
Klan News