Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Beogradi ka festuar gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit fitoren. Mijëra serb të ardhur dhe nga qytete të tjera të Serbisë, kanë shëtitur duke festuar nëpër rrugët e kryeqytetit jugosllav. Dalja e mbrëmshme televizive e Millosheviçit, tërheqja e tij nga posti i presidentit është mirëpritur nga të gjithë.

“Uroj Koshtunicën për fitoren, falënderoj ata që votuan për mua dhe iu kujtoj edhe një herë, se ne do të jemi opozitë e fortë”, ka deklaruar Millosheviç, duke pretenduar gjithsesi një vend në politikën serbe. Koshtunica më vonë e ka përshëndetur tërheqjen e Millosheviçit. Sot pasdite parlamenti jugosllav, do të mblidhet për ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Jugosllavisë Vojslav Koshtunica.  

Të hënën Bashkimi Europian do të mblidhet në një sesion të tij për të hequr embargon ndaj ish-Jugosllavisë. Ndërkohë një pilot jugosllav, ka dëshmuar se djali i Millosheviçit, Marko, ka shkuar së bashku me familjen e tij në Moskë me një aeroplan të linjës shtetërore jugosllave. Një tjetër lajm, që qarkullon është dhe transferimi i një pjese të rezervave të shtetit nga Beogradi në Kinë, por Kina e ka kundërshtuar këtë lajm.

Menjëherë pas dorëheqjes së mbrëmshme të Millosheviçit, ka reaguar dhe politika botërore. Presidenti amerikan Klinton, e ka përshëndetur arritjen e popullit jugosllav, duke e quajtur një fitore të jashtëzakonshme. Ndërsa Medlin Ollbrajt, sekretarja amerikane e shtetit, ka deklaruar: “pozicioni ynë është shumë i qartë, me lëvizjet e fundit e rëndësishme është që Millosheviçi të largohet nga çdo lloj pushteti”./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori