Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, u kërkoi prefektit dhe kryetarëve të komunave të Tiranës që në çdo njësi vendore të publikojnë emrat e personave që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit.

Sipas tij ata do të jenë më prioritarët për t’u pajisur me karta identiteti.

Bujar Nishani: “Udhëzimi së bashku me listën e printuar dhe listën elektronike, lista elektronike njëkohësisht është e tillë e cila mund të japë një informacion të plotë për vendin e regjistrit se ku ndodhet çdo shtetas që është në këtë listë, për adresën e këtij shtetasi. Njëkohësisht detyrimi për çdo njësi të qeverisjes vendore në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave është që të njoftohen shtetasit përkatës për t’u paraqitur, për të bërë aplikimin dhe për t’u pajisur me letërnjoftimet elektronike. Kemi hartuar dhe miratuar një modular të njoftimit, i cili po ashtu do t’u jepet të gjithë drejtuesve të qeverisjes vendore dhe brenda datës 10 Shkurt parashikohet që të gjithë këta qytetarë, të cilët nuk janë të pajisura me pasaporta, pra që figurojnë tek lista e pajisjes me prioritet me letërnjoftime duhet që të jenë njoftuar nga administrata e njësisë përkatëse vendore, pra nga administrata përkatëse e bashkisë apo e komunës përkatëse.”

Në të gjithë vendin janë 730 mijë persona të evidentuar që nuk kanë pasaporta dhe pajisja e tyre me karta identiteti bëhet me qëllim që çdo qytetari në vend t’i mundësohet e drejta e votës në 28 Qershor.

Ky udhëzim i ministrit Nishani iu është komunikuar disa prej krerëve të njësive vendore në Tiranë për t’u pasuar dhe tek zyrat vendore të rretheve./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani