Shqipëria merr për herë të parë komandën e Seebrig-ut. Vendi ynë do të kryesojë brigadën e Evropës Juglindore në dy vitet e ardhshme në drejtimin e gjeneral brigade, Zyber Dushku.

Dorëzimi i komandës dhe sekretarisë u krye gjatë një ceremonie të zhvilluar në Turqi ku ka marrë pjesë dhe Ministri ynë i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, homologu i tij turk, Mehmet Vecdi Gonul dhe përfaqësues të lartë të vendeve që janë pjesë e Seebrig-ut.

Në këtë komandë përfshihen shtatë vendet e Evropës Juglindore, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania dhe Turqia.

Ceremonia u shoqërua dhe nga një paradë e trupave të këtyre vendeve. Në mënyrë simbolike komandanti bullgar i dorëzoi flamurin komandantit shqiptar të Seebrig-ut, gjeneral brigade, Zyber Dushku në prani të ministrave Oketa dhe Gonul.

Të dy ministrat zhvilluan dhe një takim zyrtar ku biseduan veçanërisht rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën ushtarake.

Duke vlerësuar praninë e dy vendeve në NATO Oketa dhe Gonul theksuan se tashmë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes do të shoqërohet nga zhvillime të reja.

Gjatë qëndrimit të tij dyditor në Turqi Ministri i Mbrojtjes, Oketa, u takua dhe me studentët shqiptarë të mjekësisë ushtarake në spitalin Gata të Ankarasë./tvklan.al