Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe ka deklaruar se në muajin Prill 2025 do të ketë një tjetër indeksim për pensionet.

Në takimin me pensionistët në Durrës ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin për skemën e re të pensioneve, ministri Gonxhe bëri të ditur se vlera e përllogaritur në total për indeksimin e Prillit 2025 do të jetë rreth 50 milionë Euro.

“Indeksimi i vitit 2023 që ishte 8.6% për shkak se inflacioni në atë vit ishte shumë i rënduar, kishte një efekt direkt gjatë atij viti buxhetor, prej 130 milionë Euro. Vetëm ky indeksim ka efekt në vitin 2025 prej 145 milionë Euro që do të jetë në shumën e atyre kostove që ne duhet të kemi për të bërë gati pagesat tuaja.

Janë 270 milionë Euro të tjera që janë kompensime, trajtime të veçanta, invaliditeti, ish-ushtarakët, minatorët, të cilët janë aty, është një vlerë e cila mbetet vit pas viti që do t’i shtohet kostos së vitit 2025.

Po ashtu, në vitin 2025 dua t’ju bëj një llogari shumë të thjeshtë, efekti i indeksimit të sivjetshëm që ne bëmë, ai indeksimi që na akuzuan se u tallëm, është rreth 100 milionë Euro për vitin 2025. Pensionet e reja që do lidhim në vitin 2025 do jenë dhe rreth 50 milionë Euro të tjera.

Indeksimi i Prillit i vitit 2025, do e quajmë për gjysmë viti, është rreth 50 milionë Euro të tjera. Bonusi i vitit të ardhshëm, do jetë dhe rreth mbi 100 milionë Euro të tjera. Vetëm këto që ju përmenda janë 770 milionë Euro për vitin 2025 që ne të mbajmë ritimin me të gjitha politikat”, tha ndër të tjera ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe.

Në muajin Shtator 2024, Qeveria indeksoi pensionet në masën 4.1% për 791 mijë pensionistë.

/tvklan.al