I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të bazës ajrore të Kuçovës ishte edhe ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto.
Ministri Crosetto u shpreh se Italia është e angazhuar në krah të Shqipërisë pasi të dy vendet kanë lidhje të thella historike, kulturore dhe miqësie.
“Kremtojmë sot një moment domethënës që shënon njëherësh një pikëmbërritje në bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë dhe një pikë kthese për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përurimi i bazës ajrore në NATO të Kuçovës, fryt i një rrugëtimi aspak të lehtë mbërrin në një moment ndryshimesh të thella dhe të shpejta në arenën ndërkombëtare. Prania ime këtu dëshmon angazhimin e Italisë në krah të Shqipërisë, një vend me të cilin ndajmë lidhje të thella, historike, kulturore, miqësie, përveç fqinjësisë gjeografike që na jep një vizion dhe një perspektivë të përbashkët”, tha ai.
Ministri Crosetto theksoi ndër të tjera se rrugëtimi i Shqipërisë drejt demokracisë ka tiparet e përbashkëta me Italinë dhe Roma zyrtare do të vazhdojë ta përshkojë së bashku me përkushtim dhe besueshmëri.
“Shqipëria është tashmë një shtyllë solide dhe një kolonë e patjetërsueshme e perëndimit dhe e sistemit të saj të vlerave. Dhe Italia e cila e ka mbështetur me forcë vendimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe bashkëndan tashmë kënaqësinë që Shqipëria mori tashmë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit”, tha ai.
Crosetto u shpreh se gjesti i Italisë është shenjë e pastër e një miqësie të thellë, jetëgjatë dhe e vullnetit për të ndërtuar bashkëpunim më të fortë në çdo fushë./tvklan.al