Haradinaj kritika Kurtit: Po turpëron Kosovën
Hapja zyrtarisht e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë është përshëndetur edhe nga politika në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani përmes një mesazhi në rrjetet sociale e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Hapja e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, tha Osmani.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili përfaqësoi zyrtarisht qeverinë në këtë ceremoni, e cilësoi hapjen e kësaj baze si një ngjarje historike, që do t’i japë karakter tjetër gjeostrategjik Shqipërisë e Ballkanit në përgjithësi.
“Përmes bazës ajrore të Kuçovës, situata e sigurisë në Ballkan tashmë do të shihet nga një prizëm tjetër, sigurisht më i konsoliduar se kurrë”, u shpreh Maqedonci.
Sa i përket rëndësisë së kësaj baze në të njëjtën linjë është edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili thotë se aeroporti ushtarak i Kuçovës është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Por ndërsa përshëndet Shqipërinë për rolin që ka marrë në aleancë, ai nuk i kursen kritikat për kryeministrin Kurti, i cili sipas tij, po e largon gjithmonë e më shumë Kosovën nga partnerët ndërkombëtar.
“E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalë nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, tha Haradinaj.
Në mesazhin e tij Haradinaj thekson se anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë do ta bënte më të plotë sigurinë e Rajonit.
Tv Klan