Ministri i Punëve Publike i ka cilësuar si spekulime politike sulmet ndaj projektit të menaxhimit të bregdetit të jugut.

Sipas ministrit Olldashi bëhet fjalë për interesa të ngushta politike të Edi Ramës, si dhe interesa ekonomike të disa grupimeve mediatike.

Sokol Olldashi: “Nuk kemi ngrirje të projektit, kemi ngrirje të financimit. Projekti vazhdon edhe në këtë moment që flasim. Në të gjithë këtë stuhinë që po përpiqet të ngrihet me çështjen e planit të jugut ka vetëm interesa politike nga segmente të opozitës, por ka edhe interesa ekonomike dhe klientele të grupeve mediatike të afërta me kryetarin e partisë, të bashkisë, interesa që për fat të keq me prishjen e planit të projektuar nga Artan Lame në 2005-ën janë rrëzuar.”

Financimi i projektit të jugut është pezulluar nga paneli i inspektimit të Bankës Botërore pasi pretendohet se në zonat turistike janë prishur ndërtesa qindra vjeçare.

Sokol Olldashi: “Unë po ju tregoj dy nga ndërtimet që janë prishur. Në qoftë se ndokujt prej jush këto i duken ndërtime 300-vjeçare atëherë i bie që konstatimi i panelit të inspektimit është i saktë, por në qoftë se i shihni mirë njëra është e mbyllur në fazën e Karabinasë, tjetra është duke hedhur soletën e betonit. Pra nuk janë prishur shtëpitë 300-vjeçare sikurse pretendon paneli i inspektimit, por struktura të destinuara për turizëm dhe jo shtëpitë e njerëzve të varfër që nuk kanë ku fusin kokën”.

Ministri Olldashi e ka cilësuar planin e jugut si mjaft transparent dhe në përputhje me kriteret evropiane.

Ky plan veçse kufizon ndërtimet në distancën 100 metra nga bregu duke i lënë më pas në dorë vendorëve të japin leje për ndërtimet turistike.

Bordi i Bankës Botërore pritet të marrë një vendim në lidhje me këtë çështje më 17 Shkurt 2008./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro