Ministri i Brendshëm foli këtë të hënë në “Opinion” edhe për takimin që kishte zhvilluar me shoqëruesin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Lleshaj tha se arsyeja përse e kishte thirrur rojen e sigurisë së Bashës kishte qenë për t’i përcjellë këtij të fundit një mesazh diskret, për rritjen e nivelit të sigurisë për të. Ministri mohoi se kishte pasur informacione se Basha ishte i rrezikuar dhe theksoi se nisma për të shtuar sigurinë kishte përfshirë të gjithë personalitetet që Garda e Republikës ka në mbrojtje.
A e keni thirrur ju shoqëruesin e zotit Basha?
“Ju thashë që Garda e Republikës ka detyrë ligjore. Ligji i Gardës parashikon që Garda ruan fizikisht kryetarin e partisë më të madhe opozitare parlamentare. Dhe ne ende e quajmë zotin Basha kryetarin e partisë opozitare më të madhe parlamentare. Në këtë situatë disi skicofrenike në vend, ku sfidat ndaj rendit publik janë shtuar dukshëm, ku kemi pasur protesta të dhunshme, ku kemi pasur dhunë në protesta, ku në protesta janë plagosur protestues vetë, nga vetë protestuesit…
Patjetër në çdo protestë ka pasur zgjedhje të tilla..
“Pra kemi pasur incidente që protestues janë goditur nga protestues të tjerë. Duke qenë se zoti Basha është drejtues i këtyre protestave, është pjesë e tyre fizike, autoritetet e Gardës e kanë çmuar të nevojshme nevojën për të menduar nëse i duhet rritur apo jo niveli i sigurisë”.
Po këtë e gjykon Garda e Republikës?
“Patjetër”.
Po ju si Ministër i Brendshëm përse e keni thërritur shoqëruesin e Bashës?
“Po Garda është në varësinë time dhe përgjegjësinë politike për veprimet apo mosveprimet e Gardës i mbaj unë. Dhe unë përpara se Garda të merrte veprime konkrete për shtimin e rojeve të sigurisë, në mënyrë që kjo të mos keqkuptohej, i kam çuar në mënyrë diskrete një pyetje zotit Basha, përmes bodigardit”.
Nuk gjenit dot një mënyrë tjetër zoti Ministër?
“Kjo është rruga më konfidente e mundshme. Kjo është rrugë krejtësisht normale, për ta pyetur nëse e konsideron normale apo jo? Ai e konsideroi jo normale, kaq”.
I folët ju për një rrezik?
“Nuk ka patur rrezik. Nuk kemi patur asnjë informacion për rrezik të shtuar”.
Përse mos ta bënte këtë komandanti i Gardës, por duhet ta bëni ju?
“Komandanti i Gardës nuk komunikon me drejtuesit e një partie politike. I kam përcjellë një mesazh zotit Basha në mënyrë diskrete, që në kushtet e situatës që kemi, mendohet të rrisim nivelin e sigurisë për të gjithë personalitetet që Garda ka në mbrojtje. Edhe kryeministrit i është rritur niveli i sigurisë, edhe për të tjerë, edhe për mua është rritur”.
Po përse duhet ta pyesnit dhe të mos e bënit?
“Po që të mos keqkuptohej politikisht, sepse gjithçka keqkuptohet nga opozita jonë sot, gjithçka. Çdo vullnet edhe më normali, keqkuptohet, siç u keqkuptua kjo”./tvklan.al