Shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore në sistemin parësor ka shënuar progres përsa i përket shërbimit të ofruar ndaj pacientëve në këto qendra. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së Elvana Hana, kjo vërehet edhe në rritjen e shënuar në indikatorin e performancës.

Elvana Hana: “Numri ditor i vizitave për mjekë nga 2006 në 2008 u rrit mesatarisht me 37% në qytet dhe 72 % në fshat. Kontaktet për herë të parë me mjekun e familjes në vit nga 2006 në 2008 janë rritur në masën 77%.”

Reforma në parësor ka marrë përgëzimet e ministres së shëndetësisë Anila Godo, e cila u shpreh se ministra që drejton do të vijojë me investimet për qendrat shëndetësore.

Anila Godo: “Në sajë të një projekti të BB me një paketë pajisjesh është duke u pajisur pra çdo qendër me këtë paketë të veçantë pajisjesh. Gjatë këtij viti është punuar mjaft për të ngritur ambulanca dhe qendra shëndetësore të reja, është punuar mjaft për të ristrukturuar dhe janë ristrukturuar një numër i madh ambulancash dhe qendrash shëndetësore.”

Reforma në shërbimin parësor do të vijojë me informatizimin e qendrave shëndetësore si dhe përfundimin e regjistrimit të popullatës, me qëllim aplikimin e pagesave sipas numrit real të banorëve që mbulohen nga një mjek./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami