Ndeshja me Katarin do të jetë ndryshe nga ajo me Arabinë Saudite. Ky është mendimi i trajnerit Edoardo Reja, i cili ka grumbulluar thuajse të gjithë futbollistët nga Superiororja me përjashtim të Kristal Abazajt, i cili luan me Istanbulspor në Turqi dhe portierin Arlis Shala, i cili është pjesë e Drenicës në Superligën e Kosovës.
“Përballë kemi një kundërshtar si Katari, që është një ekip që po përgatitet prej kohësh për Botërorin, një ekip më i mirë se Arabia Saudite. Kjo përfaqësuese ka afruar disa lojtarë të huaj. Do të jetë një test shumë i rëndësishëm. Kjo vlen për të parë këta lojtarë. Disa prej tyre janë paraqitur më mirë, por do të jetë një provë se cili prej tyre do të meritojë ta grumbulloj në të ardhmen.”
Sipas trajnerit të Kombëtares vëmendja duhet të përqëndrohet te të rinjtë.
“Kampionati shqiptar është shumë i vlefshëm në aspektin e forcës, agresivitetit dhe temperamentit. Por duhet më shumë në planin taktik, nuk e them për të kritikuar. Duhet të përmirësohet te baza, pasi kur futbollisti shkon në një moshë të caktuar është përgatitur. Duhet punuar te futbolli i moshave, për të formuar lojtarët në aspektin taktik.”
Edoardo Reja tha edhe një herë që nuk ka asgjë të re për të ardhmen e tij dhe se është në pritje të përfundimit të kontratës. Shqipëria përveç miqësores me Katarin më 9 nëntor në Spanjë do të zhvillojë edhe takimin me Italinë më 16 nëntor dhe me Armeninë 3 ditë më vonë në Tiranë.
Tv Klan