Pas dy ditëve diskutimi maratonë, Kuvendi miratoi në parim projekt-buxhetin për vitin 2025. Libri i ri i financave konsiderohet si më i madhi ndër vite nga qeveria, në të cilin ka planifikuar 822 miliard Lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 750 miliard Lekë.

Në trend pozitiv parashikohet edhe rritja ekonomike që synon të shkojë në nivelin e 3.9 për qind në vit. Për mazhorancën ky është buxheti i shtimit të investimeve, uljes së papunësisë dhe rritjes së konsumit.

Eduard Shalsi: Investimet e huaja direkte po kapin shifrën 1.6 mld Euro. Vëllimi ekonomik rritet në mënyrë të qëndrueshme. Papunësia në nivelet më të ulëta. Prodhimi i përgjithshëm bruto ka kapur shifrën 25 mld. Konsumi për fatin tuaj të keq është rritur 10.4%. Varfërinë tuaj, po mundoheni ta projektoni si varfëri të shqiptarëve.

Por opozita, e cila paralajmëroi se do të depozitojë 19 amendamente, e cilësoi projektbuxhetin si më diskriminuesin që ka varfëruar 95% të shqiptarëve, duke pasuruar vetëm klientët e qeverisë.

Jorida Tabaku: Duke shpresuar dhe uruar që ky të jetë buxheti i fundit i socialistëve që qytetarët shqiptarë e provojnë në xhepin e tyre se sa shpërndan ky buxhet. Sot, 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, paguajnë çmime më të rritura, janë më të varfër, jam e sigurtë se atë që nuk e sollën në 11 vite, nuk kanë për ta sjellë vitin e 12. A ka sude më të madhe se ata që premtuan 5% rritje pensionesh në vit dhe nuk ja bënë për 11 vite, shqiptarët do të presin që të ja bëjnë sot?

Pjesa më e madhe e “luanit” edhe në buxhetin e vitit 2025 do shkojë për infrastrukturën rrugore, mes të cilës janë parashikuar të financohen tre kontrata koncensionare, si dhe 11 projekte rrugore e hekurudhore.

Sakaq, buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërkohë që nuk merr në konsideratë ndonjë politikë të re për rritjen e pagave. Por teksa në Kuvend palët diskutonin për librin e ri të financave, jashtë Parlamentit mbështetës të opozitës protestuan për afro dy orë.

Tv Klan