Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin e të dërguarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, deri në Janar të vitit 2025.
Ky vendim ka ardhur pas kërkesës së përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Diplomati sllovak u emërua si ambasador i BE-së në Zvicër. Ai duhet që të niste misionin e ri më 1 Shtator të këtij viti. Qeveria e Albin Kurtit e ka akuzuar Lajçakun për njëanshmëri në favor të Serbisë gjatë misionit të tij si ndërmjetës në dialog.
Megjithatë vazhdimi edhe për pesë muaj i mandatit të Lajçakut në rolin e ndërmjetësit të dialogut, Prishtinë- Beograd ndërlidhet me mos krijimin e një vakumi në këtë pozicion, derisa pritet të emërohet pasardhësi i tij.
Emërimi i pasardhësit të Lajçakut është lidhur tani në mënyrë direkte me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e tyre të ardhshëm pesëvjeçar.
Tashmë kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, është emëruar në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë.
Kallas pritet të nis punën si pasardhëse e Borrellit më 1 Nëntor.
Diplomatët në BE thonë se, kushdo që të ndërmjetësoje ne vijim dialogun në emër të Bashkimit Evropian, duhet të ndjekë mandatin dhe detyrat që i caktojnë vendet anëtare.
Shtetet anëtare janë të njëzëshme në kërkesën që Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha detyrimet që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura deri më tani në procesin e dialogut mes të dyja vendeve.
Klan News