Misteri i shprehisë së fytyrës së një mumieje egjiptiane të njohur si “gruaja që ulëret” më në fund mund të jetë zgjidhur. Analiza e fundit e shkencëtarëve tregon që ajo vdiq “duke bërtitur nga agonia” më shumë se 3000 vite më parë.
Sipas ekspertëve, ajo mund të ketë përjetuar një fenomen të rrallë si spazma në momentin e vdekjes, çka i ka bërë muskujt e saj të ngurtësohen dhe ta portretizojnë dhimbjen e saj në përjetësi. Ky fenomen bën që muskujt të ngrijnë në të njëjtin pozicion që personi ishte në momentin kur ndërroi jetë.
Edhe pse shkaku i vdekjes mbetet mister, spazmat kanë të bëjnë me vdekjet që ndodhin në kushte fizike ekstreme dhe emocione të fuqishme. Mimika e “gruas që ulëret” i ka kuriozuar ekspertët për 90 vjet.
Skanerët e përdorur për të përftuar një “ekzaminim virtual”, zbuluan detaje të reja dhe bien në kundërshtim me bindjen se shprehia ishte shkaktuar nga cilësia e dobët e mumifikimit.
Profesori i radiologjisë në Universitetin e Kajros, Sahar Saleem e përshkroi gruan si një “kapsulë të vërtetë kohe” që ka ruajtur momentet e fundit të jetës së saj.
Gruaja që ulëret u gjet në një ekspeditë arkeologjike të vitit 1935 në Deir el-Bahari, poshtë varrit të arkitektit të mirënjohur, Senmut.
Ajo ndodhej brenda një arkivoli druri, me këmbë të shtrira dhe duar të mbledhura në bark. Analizat treguan s flokët e saj ishin të lyer me këna dhe dëllinjë. Në grafi rezultoi që kishte humbur disa dhëmbë dhe vuante nga një artrit i lehtë në shpinë.
Sipas ekzaminimeve, gruaja duhet të ketë qenë rreth 150 cm e gjatë dhe ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare.
Ndryshe nga metodat klasike të mumifikimit ku organet, përveç zemrës, hiqen nga trupi, në të sajin ndodheshin ende të gjitha duke krijuar bindjen se cilësia e procesit nuk ishte e duhura.
Por ekzaminimi i lëkurës tregoi se ishte balsamosur me dëllinjë dhe temjan, lëndë të kushtueshme që në Egjipt mund vetëm të importoheshin.
Ajo mbante një paruke të bërë nga fibrat e palmës së hurmave arabe që ishte e trajtuar me kristale kuarci, oksid hekuri të zi dhe albiti. Ajo mbante dy unaza të arta dhe argjendi me brumbull në gishtin e mesit të dorës së majtë./tvklan.al