Studimet në fushën e mjekësisë gjithnjë e më tepër po i kushtojnë një vëmendje të veçantë sëmundjeve të kujtesës si Alzheimeri dhe demencave të tjera. Përveç moshave të treta, problematike është para diagnostikimi i personave më të rinj me këtë sëmundje. Megjithëse duhet theksuar jo çdo harresë është demencë.
E ftuar në studion e “Shije Shtëpie” neurologia Entela Basha përveç faktorit moshë renditi dhe disa shkaktarë me baza mjekësore që ndikojnë në sëmundjet e kujtesës. Ajo theksoi tiroidet që faktor të shpeshtë i cili bëhet përgjegjës për sëmundjet e demencës.
“Çrregullimet e kujtesës kanë baza mjekësore, metabolike, pra sëmundje të tjera. Mund të manifestohen me çrregullimet e kujtesës, por njëkohësisht mund të jenë thjesht në kuadrin e një stresi, të një mbingarkese apo të një lodhjeje fizike ose mendore. Sa i përket sëmundjeve metabolike që janë të rikthyeshme, që mund të japin çrregullime të kujtesës, ka disa. Ku e para që mbahet dhe që shikohet kur një pacient të vjen me çrregullime të kujtesës, qoftë Alzheimer, demencë apo ndonjë çrregullim tjetër që nuk klasifikohet në patologjitë degjerative, bilanci i parë që bëhet është bilanci i tiroides. Për të parë nëse kemi probleme të tiroides apo jo, sepse mos përqendrimi, kujtesa, harresa mund të jenë shenja të një destabilizimi të funksionit të tiroides, veçanërisht të hipotiroidizmit, i cili gjithmonë shoqërohet me një ngadalësi të marrjes së informacionit, përpunimit të informacionit, të përcjelljes së informacioni, ngadalësisë në veprime. Dhe kur shoqërohet me vlerësime të tjera fizike gjithmonë duhet të shoqërohesh tek një patologji e tiroides.”
Nga ana tjetër mjekja theksoi veçanërisht dhe mungesën e vitaminave, të cilat ndikonin në prekjen nga sëmundjet e kujtesës. Mungesa e vitaminës B dhe D konsiderohen po ashtu në faktorë kyç në ekspozimin e rrezikut ndaj sëmundjeve të kujtesës. Sipas mjekesm anemia dhe kequshqyerja kanë po ashtu të njëjtin rol negativ.
“Ndërkohë një gjë tjetër janë dhe deficitet e vitaminave. Në sëmundjen e Alzheimerit apo demencave të çrregullimeve të kujtesës është shumë i rëndësishëm “screening” i deficitit të vitaminave B, veçanërisht të nivelit të vitaminës B-12. Vitamina B-12 shoqërohet me çrregullime të kujtesës, njëkohësisht ka dhe disa shenja të tjera neurologjike siç mund të jenë mpirjet e duarve ose të këmbëve dhe problemet e ekuilibrit. Kryesisht deficitet e vitaminës D që në fakt është shumë e çuditshme, por mendoj se kequshqyerja e luan një rol shumë të rëndësishëm sepse ne jemi një vend me kaq shumë diell dhe deficiti i vitaminës D haset rëndomë në popullatë. Të jem e sinqertë asnjëherë nuk kam mundur ta shpjegoj nga ana logjike sepse ne jemi një popullatë mesdhetare, ushqehem me ushqime mesdhetare, kemi 300 ditë me diell nga 365, kështu që se përse ne kemi deficit të vitaminës D, unë nuk di ta them. Ushqyerja e keqe, pastaj ka disa metale të rënda si bakri, hekuri që mund të japin çrregullime. Duhet pasur një vëmendje të veçantë ndaj anemisë edhe nivelet e ulëta të hemoglobinës apo rruazave të kuqe të gjakut mund të bëjnë çrregullime të kujtesës.”/tvklan.al