Greqia ka ndryshuar politikën e saj me vendin tonë jo vetëm me heqjen e vetos për negociatat, por edhe duke nisur ndërtimin e një rruge të re që nis nga Janina drejt Kakavijës e më tej drejt Shqipërisë.
Pikërisht në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për nisjen e punimeve kryeministri Mitsotakis tha se ndërtimi i një zgjatimi të autostradës së Jonit dëshmon se me shtetin fqinj po ndërtohen marrëdhënie të reja në kuadër edhe të integrimit evropian.
Mitsotakis Tiranës zyrtare i kujtoi kërkesën për respektimin e të drejtave të pronësisë së minoritetit grek.
Kyrjakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë: Greqia po investon në marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshmë me Shqipërinë. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është mënyra më e mirë për të siguruar që pretendimet e pakicës kombëtare greke do të realizohen. Ne po përpiqemi në këtë drejtim.Shqipëria e di shumë mirë se ne jemi rregullatorët e shpejtësisë me të cilën ajo do të ecë drejt Europës së bashkuar. Dhe sa më shpejt që ajo të përmbushë detyrimet e saj, që rrjedhin nga e kaluara si për të drejtat e vetëvendosjes apo për të drejtat pronësore të minoritetit grek, aq më shpejtë ne do të mbështesim në vijim kursin e saj europian.
Pas Janinës në Bruksel Mitsotakis tha se çështjet që kanë të bëjnë me të drejtave pronësore dhe të vetëidentifikimit të pakicës kombëtare greke në Shqipëri nuk janë çështje dypalëshe, por janë të lidhura drejtpërdrejtë me anëtarësimin e këtij shteti në BE.
“Jam i kënaqur që për herë të parë në shumë vite, ka pasur përparim të konsiderueshëm nga ana e Shqipërisë në adresimin e këtyre çështjeve,” tha ai.
Klan News