Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim, por mjekët janë optimistë pasi edema që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar. Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.
Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, por ende nuk ka gjurmë të 3 të shpallurve në kërkim. Sipas sistemit TIMS, ata rezultojnë ende brenda vendit. Megjithatë grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale.
Personat e shpallur në kërkim janë Elton Kasaj e Drivald Alia si pjesëmarrës në sulmin ndaj avokatit. Ndërsa Romario Tabaku kërkohet pasi ndihmoi autorët të largohen nga vendi i ngjarjes.
Pas sulmit në polici është vetëdorëzuar Dorian Alia. Ky i fundit tha se nuk donin ta vrisnin avokatin Mëngjesi, por thjesht ta frikësonin.
Ngjarja dyshohet se është organizuar nga Dritan Nano, 58-vjeçari që shihni në foto.
Policia tha se avokati Sokol Mëngjesi e ka përfaqësuar atë në një proces civil për trashëgiminë e një prone në Tiranë. Mëngjesi e ka fituar çështjen, por dyshohet se Nano nuk ka pranuar të plotësojë kushtet ligjore të kontratës që kishte me të.
Në polici, ai ka pranuar konfliktin që ka pasur me avokatin, por ka mohuar që të ketë organizuar dhe porositur ngjarjen./tvklan.al