Kryediplomatja europiane, Federica Mogherini sheh zhvillime pozitive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Përpara ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në Bruksel, përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të Unionit u shfaq tepër optimiste se tani është momenti më i mirë që dy vendet të arrijnë një marrëveshjeje të madhe që i jep fund konfliktit mes tyre.
“Se ka një shans real për presidentët Vuçiç e Thaçi për të arritur një marrëveshje për të gjitha çështjet e hapura mes Prishtinës dhe Beogradit. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Një marrëveshje, e cila është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe që mund të kontribuojë në stabilizimin e gjithë rajonit”.
Ndërsa Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth komentoi propozimin për ndryshimin e kufijve. Duke qenë në të njëjtën linjë me Kancelaren Merkel, Roth tha përmes Twitter-it se ky propozim nuk do të zgjidhë asnjë problem. Sipas tij, një lëvizje e tillë do të hapte “kutinë e Pandorës” për konfliktet etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është multietnike, fetare dhe kulturore. Të bashkuar në diversitet, kjo është Europa – shkruan Roth.
Presidentët Thaçi e Vuçiç do të takohen më 7 Shtator në Bruksel në raundin e radhës të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
Tv Klan