Futbollisti shqiptar, Maldini Kaçurri po kalon një moment të artë në karrierën e tij. Mbrojtësi bëri debutimin me ekipin e parë të Arsenalit pak ditë më parë në Kupën e Anglisë, ndërsa vazhdon të jetë pjesë e ekipit të Artetës dhe në kompeticionet e tjera të rëndësishme.
“Topçinjtë” triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj PSG-së, duke marrë fitoren e parë në Champions League për këtë sezon, pas barazimit pa gola me Atalantën në ndeshjen e kaluar.
Në këtë takim, pjesë e stolit të londinezëve ishte edhe 18-vjeçari shqiptar, me Kaçurrin që ndoqi ndeshjen nga pankina.
Arritje e rëndësishme për mbrojtësin e talentuar që në moshë shumë të re, grumbullohet vazhdimisht nga një prej klubeve më të mëdha në botë. Shqiptari tani pret të bëjë edhe debutimin në Ligën e Kampioneve.
Sipas të gjitha gjasave, Kaçurri do të jetë pjesë e listës së Alban Bushit, për ndeshjen e Shqipërisë U-21 ndaj Armenisë këtë muaj. /tvklan.al