Reshjet e dëborës të rëna në veri dhe juglindje të vendit  u shoqëruan gjatë natës me uljen e ndjeshme të temperaturave, që shkuan deri në -4 gradë nën zero.

Me problematike situata paraqitet në qarkun e Dibrës, ku dhe ka vijuar pa ndërprerje hapja e rrugëve nga borëpastrueset.

“Aksi kryesor rrugor është për momentin i kalueshëm në gjithë gjatësinë e tij nga Burreli deri në Peshkopi. Me këtë ritëm reshjesh që po bien mendoj që kalimi do të bëhet me zinxhirë.”

Sasia e madhe e dëborës mban të bllokuara komunat e Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Reçit, Trebishtit, Sterblevës, Martaneshit dhe Xibrit.

Në Kukës, të izoluara mbeten komunat Arrën, Gryk Çajë, Zapod dhe Lekbibaj në Tropojë.

Probleme në qarkullimin e automjeteve u krijuan edhe për shkak të ngricave. Aksi rrugor në Qafën e Llogorasë u bllokua përreth 5 orë gjatë paradites. Kalimi pa zinxhirë shkaktoi aksidente, por fatmirësisht pa pasoja të rënda.

Në orët e para të mëngjesit u ndalua përkohësisht qarkullimi edhe në aksin Qafë Krrabë-Elbasan.

Fatos Salliu: “Lëvizja e automjeteve është devijuar në drejtim të Durrësit, ku pas ndërhyrjes së punëtorëve të mirëmbajtjes tashmë ky aks rrugor është i qarkullueshëm për automjetet.”

I detyrueshëm është kalimi me zinxhirë në aksin Pogradec-Qafë Thanë, ku trashësia e dëborës në disa segmente arrin deri në 1 metër. Problematike mbeten dhe rrugët rurale që të çojnë drejt Dardhës dhe Voskopojës./tvklan.al