Rrugë të bllokuara nga dëbora, përmbytje të përkohshme, probleme me energjinë elektrike dhe pemë të thyera ka shkaktuar i ftohti polar që ka përfshirë Shqipërinë.
Në qarkun e Dibrës, trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës i kaloi 35 centimetra, ndërsa në zonat e thella arriti në 70 centimetra. Sipas njoftimeve të emergjencave civile rruga e Arbrit është e pakalueshme në Qafë Murriz dhe po punohet për hapjen e saj. Në akset e tjera të qarkut Dibër kalimi duhet bërë me zinxhirë.
Reshjet e dendura të dëborës në këtë qark kanë lënë të bllokuara disa njësi administrative. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se grupet e punës po punojnë për zgjidhjen e problematikave.
“Zona e veriut, ndodhet nën mbikëqyrje të plotë nga stukturat. Po thuajse të gjitha akset nacionale janë të hapura…” tha Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
Në qarkun e Shkodrës në akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth rrugët janë të pastruara dhe qarkullimi kryhet pa ndërprerje. Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.
Në qarkun e Lezhës probleme ka shkaktuar edhe rënia e pemëve nga era e fortë.
Policia Rrugore Lezhë njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave, veçanërisht ato me tenda, që do të kalojnë në urën e Matit, të tregojnë kujdesin maksimal.
Në qarkun e Korçës reshjet e dëborës janë ndërprerë dhe situata është përmirësuar. Trashësia varioi nga 15-35 centimetra, ndërsa akset nacionale janë të gjithë të hapur dhe të qarkullueshëm normalisht.
Shumë pemë u rrëzuan edhe në Lushnje e për pasojë disa makina pësuan dëme materiale.
Mbi 70 ha tokë kanë mbetur nën ujë në Tërbuf si rezultat i bllokimit të kanaleve kullues që janë papastruara.
Ndërsa në Vlorë dhjetëra familje janë përmbytur nga reshjet e shiut.
Si pasoje e situatës, ditën e sotme u pezullua mësimi në 77 shkolla të vendit.
Era me intensitet të vrullshëm ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike në shumë bashki të Dibrës, Shkodrës, Lezhës, Korçës, Lushnjes dhe Elbasanit.
Tv Klan