Moti i keq ka sjell problematikë me rrëshqitjen e dherave dhe mungesë energjie elektrike sidmos në veri të vendit.
Shkëputja e këtij masivi të madh shkëmbor për shkak të motit të keq në aksin rrugor Prekal – Kir në bashkinë e Shkodrës e ka bërë të pamundur qarkullimin.
Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës çka ka sjellë bllokimin e saj për automjetet. Autoritetet thonë se po punojnë për zgjidhjen e situatës.
Probleme nga moti i keq ka edhe në bashkinë e Lezhës edhe aty reshjet kanë qenë me intensitet mesatar. Era e fortë është bërë shkak për difekte në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Për rikthimin e energjisë elektrike në terren ndodhen punonjës të OSHEE.
Prej ditës së Enjte është pezulluar lundrimi nga porti i Shëngjinit, për shkak të erës së fortë e cila ka shkaktuar dallëzim në det 8 ballë.
Lumenjtë Drin, Mat dhe Gjadër kanë rritur prurjet, por aktualisht nuk ka rrezik për përmbytje.
Për shkak të motit të keq porti i Durrësit njoftoi anulimin e lundrimit të trageteve mbrëmjen e së premtes nga Durrësi drejt Barit dhe anasjelltas. Ndërkohë nga era e fortë janë rrëzuar edhe palma duke sjell dëmtime në biznese. Erë e fortë është edhe në Vlorë.
Klan News