Dy ditët e para të kësaj jave do të karakterizohen nga mot i qëndrueshëm dhe me temperatura që arrijnë deri në 20 gradë Celcius, sipas sinoptikanëve.
“Atëherë, territori shqiptar do të jetë këtë javë dinamike, mund të them që do të jetë një javë relativisht e ngrohtë sikundër e kemi parë tashmë temperaturat nuk janë tipike dimri, por janë mjaft të larta. Sot dhe nesër, pra të hënën dhe të martën, moti do të jetë kryesisht me kthjellime dhe do të kemi vranësira të cilat në pjesën e dytë do të jenë disi më prezente dhe më të shpeshta. Megjithatë, presim temperatura sot minimalet të shkojnë në 2 gradë, ndërkohë maksimalet 19-20 gradë përgjatë gjithë kësaj jave, thuajse do jemi në këto vlera”, tha Lajda Porja.
Megjithatë, mesi i javës pritet të sjellë mot të paqëndrueshëm me reshje dhe erë të fortë.
“Mesjava, e mërkura kryesisht do të jetë me vranësira të shpeshta, do të kemi reshje, herë pas here do të jenë në formë rebeshi, sidomos në ultësirën perëndimore parashikohet që reshjet të jenë prezente edhe ditën e enjte, por do të jenë në sasi më të pakta. Parashikohet që në mesjavë, duke filluar në fakt që të martën në mbrëmje dhe gjatë natës do të kemi stuhi të forta ere, do të kemi erë të fuqishme e cila mund të jetë dhe 65 apo 70 km/orë duke sjellë një det më të trazuar. Megjithatë dita e premte do të ketë më shumë alternime kthjellimesh dhe vranësirash dhe reshje të pakta”, tha Porja.
Në ditët në vijim nuk përjashtohen as reshjet në formë dëbore në zonat malore të vendit.
“Nuk përjashtohen reshje të pakta dëbore në zona të thella. Duke qenë se temperaturat do të jenë të larta të paktën në qytete në zonat e banuara, 2-3 gradë, ndërkohë më të ulëta në zonat e thella malore reshjet do t’i kemi kryesisht reshje shiu dhe reshje dëbore vetëm në ekstremin veri dhe verilindje”, tha Porja.
Klan News