Seanca e ndërmjetësimit sot në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan vendosi përballë njëri-tjetrit vëlla e motër. Gëzimi rrëfeu në studio se si në Shtator të vitit 2019, jeta e tij ndryshoi.

Ai në Maj të 2018 ishte larguar nga Spitali i Tepelenës, ku punonte si shef finance, për arsyen se do shkonte në Gjermani pranë gruas së tij.

Por në Shtator një telefonatë nga ish-kolegët e detyroi atë që të rikthehej sërish në Shqipëri. Një kolege i thotë bashkëshortes së tij, që kishte humbur një dosje tek puna e tij e vjetër dhe ai duhet të vinte të depononte.

Motra e tij tregoi se ajo nuk ishte në dijeni të problemit dhe kërkon nga vëllai i saj të dijë arsyen pse ai nuk i tregoi asgjë, as për udhëtimin në Shqipëri dhe as për problemin që kishte.

Bruna mëson për ngjarjen dhe arrestimin e vëllait nga mediat dhe për të ishte një shok.

Gëzimi: Në Shtator të vitit 2019 fillon një histori tjetër për jetën time.

Eni Çobani: Për këtë problem ke ftuar Brunën apo jo?

Bruna: Dhe ke bërë gabimin më të madh, se unë nuk e kam as formimin juridik dhe as ligjor. Jam munduar me shpirt të të qëndroj pranë dhe të jem pranë teje në çdo moment.

Gëzimi: Gabimin do ta gjykojnë ata që do ta dëgjojnë.

Bruna: Dhe unë atë po pres, që ata të gjykojnë çfarë unë kam gabuar.

Gëzimi: Të lutem mund të flas unë zonja Eni. Në muajin Shtator të vitit 2019, mua më vijnë disa telefonata.

Eni Çobani: Në Gjermani?

Gëzimi: Unë jetoja në Gjermani dhe më vijnë disa telefonata të disa ish-kolegëve të mi, në lidhje me disa problematika që kishin ndodhur në pozicionin tim të punës, ku unë kisha punuar më përpara. Pasi unë në Mars të vitit 2018 jam larguar me dëshirën time nga puna, për të shkuar dhe për të jetuar..

Eni Çobani: Ju në atë periudhë punonit një spitalin e Tepelenës apo jo?

Gëzimi: Po unë në atë periudhë punoja në spitalin e Tepelenës, si shef finance. Ndërkohë që mua më marrin në telefon dhe më thonë që ka humbur një dosje dhe Policia, Prokuroria kishte hapur një çështje për këtë gjë. Atëherë unë vendos të vij që të sqaroj pozicionin tim në të cilin ndodhesha.

Bruna: Nëse vendos të vije duhet të kishe një thirrje nga oficeri i policisë gjyqësore, duhet të kishe një thirrje nga Prokurori.

Gëzimi: Mirë ç’rëndësi ka?

Bruna: Duhet ta kishe ose tek e fundit duhet të më kishe thënë përmes një telefonate: Bruna unë kam një problem. Jo ta marr vesh unë problemin nga televizori, të përfundoj në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të kem probleme të jashtëzakonshme më vonë.

Eni Çobani: Kjo është shumë e rëndë Ardit, që motra e ka marrë vesh nga lajmet, që vëllai është dënuar dhe është futur në burg.

Gëzimi: Zoti Ardit, unë vij në 29 Shtator të vitit 2019 për këtë çështje, që të deponoj në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Eni Çobani: Me dëshirën e tij, gjë e cila është pak e rrallë në fakt.

Gëzimi: Vij për të deponuar atje pozicionin tim në të cilin ndodhesha. Çdo gjë shkoi në rregull.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte ndodhur?

Gëzimi: Kishte humbur një dosje në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Tepelënë, atje ku unë kisha punuar.

Bruna: Më fal kush ishe ti që duhet të dilje dhe të kërkoje dosjet që humbasin në spitalin e Tepelenës, ishe një punonjës si gjithë të tjerët.

Gëzimi: Bruna unë nuk kisha faj që mos të vija.

Bruna: Nëse unë nuk kam faj, nuk marr rrugën nga Gjermania për të ardhur këtu. Unë vij këtu kur unë kam faj dhe jam e ngarkuar me faj./tvklan.al