Juventusi do të përballet me Milanin në Riad të Arabisë Saudite për një vend në finalen e Superkupës së Italisë. Trajneri Tiago Mota i ka të gjithë futbollistët e rikuperuar, me përjashtim të Milik, Bremer dhe Kabal, që nuk janë të disponueshëm për këtë gjysmëfinale.
Për teknikun bardhezi, kjo do të jetë Superkupa e parë si trajner, pasi ka fituar 8 si futbollist. Ai nuk e fsheh se e dëshiron këtë trofe, por më parë duhet që të mposhtë “Djallin”.
“Dua të fitoj si trajner, prandaj zgjodha këtë profesion, por për mua sot të kesh sukses nuk është obsesion. Unë bëj gjithçka që mundem që të ndihmoj ekipin të rritet dhe të përmirësohet. Jam i qetë dhe i bindur te forca jonë! Duam të shkojmë në finale! Jemi të vendosur që të jemi versioni më i mirë i joni! Superkupa është një kompeticion ndryshe dhe kjo të motivon të bësh gjërat që di. Milani ka lojtarë të mirë, me një trajner që ka bërë një punë të shkëlqyer te Porto. Ne kemi shumë respekt, por me vetëdijen se mund të bëjmë mirë kundër çdo rivali. Janë ndeshje të mira për t’u luajtur, por duhet t’i menaxhoni në mënyrën e duhur. Do të jemi gati të përballemi me Milanin më të mirë të mundshëm”.
Tekniku i Milanit Serxhio Conceiçao është gati për këtë sfidë të vështirë, në rrugëtimin e tij me kuqezinjtë. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, ai shprehet se jeta përbëhet nga rrisqet dhe sfidat, por ai ndihet gati. Të jetë trajner i Milanit e konsideron si krenari.
“Gjeta një ekip të përulur, që do të mësojë të kuptojë! Kjo është baza e një pune me cilësi. Në këto klube të mëdha rezultatet kanë rëndësi, ndaj ne përpiqemi të fitojmë. Duhet të punojmë si ekip, vetëm kështu funksionon futbolli. Përndryshe është e kotë të kesh vetëm lojtarë që tërheqin vëmendje. Unë nuk jam magjistar apo vizionar, punoj çdo ditë për të arritur rezultate. Ndaj Juves duhet të kemi pasion dhe uri që të shfrytëzojmë talentin që kemi!”
Ndërsa portieri i kuqezinjve, Maik Manjo tha në konferencën për shtyp se ndryshimi i trajnerit kurrë nuk është i lehtë, por ekipi duhet që të reagojë e të bëjë më mirë. Detyrë e lojtarëve sipas tij është që të japin maksimumin kurdoherë.
Klan News