Java ka nisur me kthjellime, por me temperatura të ulta. Me këto kushte të motit do të vijojë edhe dita e martë, ndërkohë që duke nisur prej ditës së mërkurë meteorologët parashikojnë reshje shiu.
Lajda Porja, Meteoalb: Dita e mërkurë shton vranësirat gradualisht duke bërë që në mbrëmjen e të mërkurës të kemi një sistem vranësirash që do të përfshijnë të gjithë territorin dhe pjesa e dytë e javës, pra nga e mërkura dhe deri në fundjavë, do të jemi në situatën tipike të vjeshtës, me vranësira, me reshje, me rrebeshe, stuhi të forta ere. Parashikohet që të premten dhe të shtunën të jenë të fokusuara reshjet, ku do të kemi dhe intensitete të larta.
Pavarësisht se do të ketë reshje, temperaturat do të pësojnë rritje.
Lajda Porja, Meteoalb: Duke filluar nga e mërkura, edhe pse do të kemi prezencë të reshjeve, ngrohet moti dhe rriten temperaturat që do të shënojnë 27-28 gradë. Megjithatë, çadra me vete që nga e mërkura dhe deri në fundjavë duke përfshirë edhe fundin e javës që mbetet e paqëndrueshme.
Sipas sinoptikanëve Tetori do pritet të jetë me prezencë të lartë reshjesh.
Lajda Porja, Meteoalb: Muaji Tetor është parashikuar që të ketë prezencë të lartë të reshjeve, pra do të jetë një muaj mjaft i lagësht, temperaturat do të jenë mbi mesataren.
Meteorologët thonë se edhe fundjava do të ketë mot të paqëndrueshëm dhe priten reshje në gjithë territorin e vendit.
Klan News