Vranësirat dhe kthjellimet e kësaj të hëne do ia lënë vendin reshjeve të shiut të martën dhe të mërkurën. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se pritet që moti të jetë i paqëndrueshëm gjatë kësaj jave. Ndërkohë, duke filluar nga e enjtja, tabloja e kushteve atmosferike do të jetë kryesisht ndryshe; me kthjellime dhe me temperatura që do të shkojnë deri në 20 gradë Celsius.

Lajda Porja: Do të kemi një javë dinamike, do të jetë e paqëndrueshme. Përgjatë gjithë ditës së sotme do të kemi kthjellime duke ndërruar vendin me vranësira të shpeshta. Jemi ndryshe duke filluar nga fundjava, është kthyer i ftohti, ku minimalet sot janë jo më të ulëta se minus 1, ndërkohë maksimalet sot do të ngjiten në 18 gradë. Përsa i përket ditës së nesërme, dita e martë do të sjellë shtim të vranësirave dhe prezencë të reshjeve. Të martën dhe të mërkurën do të kemi reshje në pjesën më të madhe të territorit.

Megjithatë, reshjet nuk do të jenë problematike, parashikohet që të jenë me intensitete të ulëta. Ndërkohë, në skajin verior-verilindor do të kemi reshje të pakëta dëbore, temperaturat mbeten 0, minus 1 në zonat malore. Dita e martë ul termometrin në 15 gradë, ndërkohë ditën e mërkurë do të ketë një rritje të lehtë. Duke filluar që nga mesi i javës, të enjten, të premten dhe fundjavën do të jemi kryesisht me mot të kthjellët, me temperatura mjaft të larta. Parashikohet që përgjatë kësaj jave, në pjesën e dytë, termometri ngjitet në 19 apo 20 gradë, temperatura mjaft të larta duke qenë se jemi në muajin Janar.

/tvklan.al