Dy golat e shënuar për Mallorca në fitoren 3-1 kundër Las Palmas-it në La Liga, e kanë bërë Vedat Muriqin njeriun më të lumtur në botë.
Sulmuesi i Dardanëve është një ndër lojtarët kyç të skuadrës spanjolle, ndërsa në total ka luajtur në 19 takime, ku ka shënuar edhe 6 gola, si edhe ka dhënë dy asiste.
Në përfundim të sfidës, 30-vjeçari tregoi emocionet për këtë sukses të arritur.
“Jam shumë i lumtur! Aktualisht nuk ka person më të lumtur në botë se sa unë! Shënova dy gola dhe ekipi ia doli që të fitonte ndeshjen. Goditja e shtyllës? Ishte fat i keq, por kështu e ka futbolli. Shpresoj se kjo do të më ndihmojë që të punoj më shumë për të shënuar edhe javën tjetër. Ne bëmë një ndeshje të mirë, si me top, ashtu edhe pa top! Në pjesën e dytë vuajtëm pak ndaj Las Palmas. Kjo fitore na gëzon”.
Edhe trajneri i Mallorca, Jagoba Arrasate, vlerësoi paraqitjen e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës.
“Përveç punës që bën, nëse ai shënon gola për ne atëherë është diçka fantastike! Ai ka bërë tre gola në dy ndeshje këtë javë që do t’i japin besim dhe shpresoj se do të vazhdojë në këtë mënyrë”.
Paraqitja e tij u vlerësua edhe nga shokët e tjerë të skuadrës.
Vetëm në La Liga, Muriqi është aktivizuar në 1371 minuta, duke u kthyer në një element të rëndësishëm për skuadrën e tij.
Klan News