Në fshatin Ishull Lezhë, sipërfaqja me një rreze prej rreth 3 km përreth vatrës ku pak ditë më parë u identifikuan derra me sëmundjen e murtajës afrikane vijon të jetë në karantinë, ndërsa pjesa tjetër e zonës i është kthyer normalitetit.

“Zonës së Ishull Lezhës i është kthyer normaliteti, ndërkohë banorët e zonës thonë se nuk ndihen të rrezikuar dhe vijojnë me përditshmërinë e tyre”, raporton gazetari Martin Marku.

“Si banor i zonës jam shumë i qetë. Absolutisht nuk jam i frikësuar nga kjo.”

“Specialistët kanë ardhur dhe kanë bërë punën e vet. Nuk ka asgjë shqetësuese.”

Nuk mungojnë as vizitorët dhe turistët, pasi kjo zonë mbetet një nder destinacionet e pelqyera. Burime bëjnë me dije se aktualisht raportohet për 72 derra të ngordhur, vetëm në një fermë.

Teksa në Bashkinë e Lezhës, tregtimi i derrave të gjallë është ndaluar, nga një vëzhgim i bërë jashtë kesaj bashkie vërehet se shitja e tyre në tregun e kafshëve të gjalla në Milot vijon te bëhet në kushte të papërshtatshme.

Murtaja afrikane e derrave është një sëmundje që nuk prek njeriun, por shkakton dëme të shumta ekonomike.

Tv Klan