Elon Musk e çoi mbështetjen e tij për partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, në një nivel tjetër gjatë një bisede live me kryetaren e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel. Biseda prej 74 minutash u zhvillua për disa çështje të ndryshme që nga politikat për energjinë, burokracitë gjermane, Adolf Hitlerin, Marsin dhe për kuptimin mbi jetën. Njeriu më i pasur i botës nuk shmangu deklaratat e tij, ku nxiti gjermanët që në zgjedhjet e ardhshme të votojnë AfD. Kjo është vetëm deklarata e fundit e tij që ndërhyn në politikën europiane pasi edhe më parë ka bërë të njëjtën gjë.
Sipas asaj që shkruan BBC, më së shumti kjo bisedë e Elon Musk me Weidel u zhvillua për t’i dhënë një shans më të madh AfD-së që të arrijë në audienca ndërkombëtare përmes platformës X. Duke e ditur marrëdhënien e afërt me Donald Trump, Weidel u sigurua që t’i shprehte mbështetjen e saj presidentit të zgjedhur amerikane dhe ekipit të tij. Ajo insistoi se partia e saj ishte “konsevartive” dhe “liridashëse”, por se është cilësuar negativisht nga mediat kryesore si ekstremiste. Disa seksione të AfD janë klasifikuar zyrtarisht si ekstremistë të krahut të djathtë nga autoritetet gjermane.
Një hetim i BBC gjeti vitin e kaluar lidhje mes disa personazheve të partisë me rrjetet të ekstremit të djathtë. Një prej figurave kyçe të partisë, Bjorn Hocke, u gjobit vitin e kaluar për përdorimin e një fraze të ndaluar naziste, edhe pse ai mohoi se e ka bërë me dashje diçka të tillë. Gjatë bisedës, Weidel tha se Hitleri në fakt ka qenë komunist, pavarësisht se diktatori nazist pushtoi Bashkimin Sovjetik.
“Ai nuk ishte konservativ. Ai nuk ishte liridashës, ai ishte komunist”, tha ajo. Po ashtu ajo e përshkroi Hitlerin si socialist antisemit.
Ajo dhe Musk qeshën mbi burokracinë gjermane “braktisjen e “çmendur” të energjisë bërthamore, nevojën për uljen e taksave, lirinë e fjalës”. Por një moment i çuditshëm i kësaj bisede ishte kur politikania gjermane pyeti Musk nëse besonte në Zot. Përgjigja e Musk ishte se “është i hapur për këtë ide teksa kërkon të kuptojë universin sa më shumë të jetë e mundur”.
Kujtojmë se liderja e AfD kundërshton dërgimin e ndihmave në Ukrainë. Ajo është e dyta në sondazhe për zgjedhjet në Gjermani të cilat zhvillohen më 23 Shkurt. Megjithatë do të jetë gati e pamundur të marrë pushtetin për aq kohë sa partitë e tjera nuk punojnë me të. Por kjo nuk e ka ndaluar Musk që ta konsiderojë Weidel si “kandidaten kryesore për të drejtuar Gjermaninë”. Ai i justifikoi ndërhyrjet e tij duke marrë si shembull një investim të tij të rëndësishëm në vend, një fabrikë Tesla që do të zhvillohet në periferi të Berlinit. Sa i përket liderit social demokrat, kancelarit aktual Olaf Scholz, Musk e përshkruan si “budalla”. Scholz nga ana tjetër thotë se po qëndron i qetë ndaj sulmeve të Musk.
Ndërhyrjet e miliarderit kanë shkaktuar shqetësim mes disa udhëheqësve europianë./tvklan.al