Nën hijen e luftës në Rripin e Gazës, miliona myslimanë në mbarë botën festuan muajin e shenjtë të Ramazanit.

Në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit, një nga vendet më të shenjta, mijëra besimtarë palestinezë mbajtën lutjet e Fitër Bajramit.

“Me të gjitha ngjarjet në Gaza, Palestinë dhe botën myslimane, ne nuk kemi Bajram. Falë Zotit prania e njerëzve na gëzon zemrat dhe të shohim xhaminë Al-Aksa plot me njerëz është ajo që na bën të lumtur”.

Ndryshe nga vitet e tjera, shumë palestinezë kanë pak për të festuar.

E tillë është edhe kjo nënë palestineze e cila zgjodhi të shkonte në këtë ditë të shënuar, në varrin e djalit të saj në Rafah.

“Kur mendoj për Bajramin e kaluar, ishte më i miri i jetës sime sepse djali im ishte pranë meje, në krahët e mi, duke e bërë gati. Gjithçka që ai donte unë e bëja për të. Do të doja të ishte këtu me mua. Iku. Gjithçka e mirë në jetën time ka ikur”.

Të njëjtën gjë bënë edhe palestinezë të tjerë, të cilët zgjodhën të ishin pranë të dashurve të tyre që u vranë në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Ndërsa në kryeqytetin jordanez, Aman, qytetarë të shumtë u mblodhën pranë ambasadës izraelite pas lutjeve të Fitër Bajramit për një protestë në mbështetje të palestinezëve në Gaza.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruanin “Bajrami ynë është me fitoren e Gazës” dhe brohoritnin në mbështetje të palestinezëve.

Kjo ditë po festohet edhe nga myslimanët në shumë vende të tjera si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia.  

Xhamitë në vendet si Indonezia, India, Pakistani dhe Bangladeshi po ashtu u mbushën me besimtarë të shumtë të cilët kryen lutjet e tyre.

Festa e Fiter Bajramit festohet në të gjithë botën çdo vit, duke shënuar fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në disa vende, Fiter Bajrami festohet disa ditë rresht. E në disa vende të tjera, dita e parë pas përfundimit të 30 ditëve të agjërimit.

Klan News