Naftëtarët e Ballshit janë në një grevë urie prej disa ditësh. Gjatë një lidhjeje live nga ndërtesa ku ata janë ngujuar një përfaqësues i sindikatës tha për emisionin “Opinion” se ata kanë arritur deri në këtë pikë për shkak të politikës.
Ata shprehen se prej shumë muajsh janë zhdukur pronarët dhe nuk kanë kujt t’i drejtohen për të marrë pagat.
“Naftëtarët janë në një hall shumë të madh, gjithë politika i ka katandisur naftëtarët në këtë pikë ku jemi katandisur ne sot sepse ka një marrëveshje shumë të ndyrë midis ish-elefantëve të sindikatës sepse kontrata bëhet dypalëshe. ARMO nëse do shiste të gjitha aksionet ashtu siç shprehej zv/ministri duhej të ishin bërë të ditura tek palët ku shkoi kjo pjesë financiare e aksioneve që shiti Armo sepse detyrimin e parë që kishin ata duhej të shlyenin naftëtarët.
Këtu ka një urdhër sekuestro dhe të gjithë këta persona që nuk e kanë zbatuar këtë sekuestro duhet që të mbajnë përgjegjësi në një shtet ligjor. Kam një pyetje shumë të qartë. Në rast se privat me privat siç shprehen autoritetet shtetërore, njëri nga privatët gjendet në rafineri dhe këta janë naftëtarët, prej 11 muajsh nuk gjendet pronarët, kujt duhet t’i drejtohemi ne Blendi?”, u shpreh përfaqësuesi. /tvklan.al