Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Intervistë me Nënkryetarin e Parlamentit zotin Namik Dokle dhe zotin Arben Puto për rënien e Murit të Berlinit.

Namik Dokle, deputet i PS:- “Ne socialistët e kemi dhe në programin e partisë idenë që kompromisi është një kulturë e socialdemokracisë. Mirepo herë pas here në Shqipëri ndiqet një politikë konfliktuale, një politikë rrugë, e cila nuk preston, nuk hap pistat e një konkurimi demokratik të politikave, të programeve, apo të alternativave, por hap rrugën e konkurimit të britmave, çka nuk është normale dhe sjell ato turbullira dhe perturbacione të cilat i vuajnë në fund të fundit shqiptarët dhe jo vetë politikanët që i sjellin këto lloj politikash. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne shqiptarët për të bërë hapa më të fuqishëm dhe më të saktë, dhe më efektive drejt Europës. Këtu në këtë rast do të citoja një gjerman por jo politikan, do citoja shkencëtarin e famshëm gjerman Ajnshtajn i cili ka thënë që ne mund t’i zgjidhim problemet atëhere kur të ndryshojmë mentalitetet që i kanë pjellur këto probleme. Dhe pikërisht këtu është e domosdoshme që ne shqiptarët në politikë në veçanti, të shëmbim muret e dhogat që kanë mbetur në mentalitetet tona. Pra shembja e Murit të Berlinit ka sjellur dhe duhet të sjellë shembjen e mureve që janë ngritur në kokat tona. Pra është një betejë e cila zhvillohet në mendjen, në mentalitetin dhe në bindjet e çdo shqiptari për të shembur pikërisht këto mure të voçkla që e pengojnë hapjen e shoqërisë drejt Europës së Bashkuar”.

Arben Puto:- “Është po aq e domosdoshme që të ketë stabilitet dhe stabiliteti vjen jo me ndryshimet e herëpashershme por me një bazë më solide për qeverisjen. Kështu që shoqëria jonë pret, publiku ynë pret qe ta ndjeje veten më të sigurtë, më të qetë në punën e tij, ta ndjejë veten se ka në krye një ekip që di t’i administrojë punët e shtetit”./tvklan.al