Mbetet kritike gjendja shëndetësore e Papa Françeskut, shëndeti i të cilit u përkeqësua ndjeshëm të shtunën për shkak të një infeksioni të rëndë që po kalon në mushkëri.

Mjekët e spitalit Xhemeli të Romës njoftuan paraditen e kësaj të diele se Ati i Shenjtë kaloi një natë të qetë, duke nënkuptuar se gjendja e tij nuk pati ndryshime, por të shtunën kreu i Kishës Katolike pësoi krizë frymëmarrjeje të ngjashme me pasojat e astmës së zgjatur. Mjekët i kryen transfuzione gjaku pasi analizat mjekësore zbuluan mungesë trombocitesh që shoqërohet me anemi të theksuar.

Në deklaratën për shtyp të Selisë së Shenjtë thuhet se Papa është i vetëdijshëm dhe qëndron në karrocën e tij me rrota, por ka nevojë për nivele të larta furnizimi me oksigjen. Për momentin nuk mund të bëhen parashikime mbi shëndetin e tij.

Selia e shenjtë publikoi edhe një deklaratë të ditëve të fundit të Papës, ku u drejton me shkrim lutjet e meshës së kësaj të diele në pamundësi për të qenë i pranishëm në sheshin Shën Pjetër. Ati i shenjtë u kërkon besimtarëve të luten për të.

“Nga ana ime ndjek me besim shërimin në poliklinikën “Gemelli”, me gjithë kurat e nevojshme. Edhe pushimi është pjesë e terapisë. Falenderoj nga zemra stafin e spitalit për kujdesin që po tregojnë për mua dhe për përkushtimin me të cilin u shërbejnë të sëmurëve”, shprehet Papa.

Në meshën e kësaj të diele në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, arqipeshkvi katolik Rino Fizikela drejtoi edhe një lutje për shërimin e Papës, ashtu si në shumë kisha katolike në mbarë botën.

88-vjeçari u shtrua në spital më 14 Shkurt, ku po kurohet për një pneumoni që i ka prekur të dyja bronket dhe dyshohet se ka infeksione të shkaktuara nga dy ose më shumë lloje mikroorganizmash. Në krye të Vatikanit prej 2013-ës, ai ka vuajtur shpesh vitet e fundit nga virozat gripale dhe disa probleme të tjera me shëndetin.

Tv Klan