Vatikani ka thënë se Papa Françesku vijon të mbetet në gjendje kritike pasi pësoi një krizë të gjatë frymëmarrjeje që kërkoi flukse të larta oksigjeni. Papa ndodhet i shtruar në spital prej 1 jave për shkak të një infeksioni kompleks në mushkëri.
Sipas asaj që shkruan The Guardian, Vatikani njoftoi të shtunën se Ati i Shenjtë ka marrë transfuzion gjaku pasi analizat treguan për një gjendje anemike.
“Ati i Shenjtë vazhdon të jetë vigjilent dhe e kaloi ditën në një kolltuk, edhe pse me më shumë dhimbje se dje. Për momentin, prognoza është e rezervuar”, thuhej në deklaratë.
Papa Françesku ka sëmundje kronike të mushkërive. Ai u shtrua në spitalin Gemelli në Romë më 14 Shkurt pasi gjendja e tij me bronkitin u përkeqësua. Mjekët e diagnostikuan fillimisht infeksionin kompleks viral, bakterial dhe fungal të traktit respirator ndërsa më pas në një pneumoni në të dyja mushkëritë.
Ai ka nevojë për pushim absolut sipas mjekëve dhe po e trajtojnë me një kombin kartizonësh dhe antibiotikësh bashkë me oksigjen nëse ka nevojë.
Doktori Sergio Alfieri, kreu i mjekësisë dhe kirurgjisë në spital, tha se kërcënimi më i madh me të cilin përballet Papa aktualisht është fakti se nëse disa nga mikrobet që ndodhen në sistemin e tij të frymëmarrjes kalojnë në qarkullimin e gjakut mund të kalojë në sepsis. Kjo gjendje mund të çojë në mosfunksionim të organeve dhe deri në vdekje.
“Ai [Papa] e di që është në rrezik dhe na kërkoi që ta transmetojmë këtë”, tha Alfieri.
Hera e fundit që është shtruar në spital nga problemet me mushkëritë ka qenë viti 2023. Vitet e fundit, Papa është përballur edhe me probleme të tjera shëndetësore për të cilat ka kryer edhe ndërhyrje kirurgjikale si hernien dhe zorrë të trashë dhe së fundi ka përdorur edhe karrocën për të lëvizur për shkak të dhimbjeve në gju./tvklan.al