Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta ka kërkuar që nesër në kishat katolike shqiptare të mbahet një lutje e veçantë për Papa Françeskun.
“Në ditën e sotshme Papa Françesku ka pasur një krizë në frymëmarrje dhe probleme me gjakun për shkak të të cilit është ndërhyrë me ndërrim gjaku. Situata nuk është e lehtë dhe mjekët nuk mund të parashikojnë si mund të jetë ecuria e sëmundjes. Edhe në buletinin mjekësor të ditës së djeshme mjekët kanë pohuar se rreziku ende nuk ka kaluar. Ftohja në dy krahët e Papës e ka ndërlikuar gjendjen e tij”, thuhet në njoftimin e Konferencës.
Me tej, Imzoti Gjergj Meta thekson se “ndaj ju ftoj të lutemi për Papa Françeskun nesër në të gjitha meshat tona me njet të veçantë. Zoti i jetës i qëndroftë pranë Papës dhe Nana e Këshillit të mirë e mbrojtë!”.
Tv Klan